Laçi u ndal në barazim pa gola në takimin me Flamurtarin në shtëpi, ndërkohë që ndeshja e radhës në program për kampionatin është kundër Tiranës në kryeqytet. Trajneri Sulejman Starova do të duhet të konfigurojë mbrojtjen për këtë sfidë.
Sebastian Toro është mungesë e sigurt për ndeshjen me bardheblutë, pasi kiliani u ndëshkua me karton të verdhë në sfidën e fundit me Flamurtarin. Për të ishte kartoni i katërt i verdhë dhe tanimë duhet të shlyejë pezullimin.
BERISHA DHE GALIÇ– Sulmuesi anësor u dëmtua në ndeshjen me Partizanin, 4 javë më parë. Pritet që tanimë ai të nisë përgatitjet dhe së shpejti të rikthehet i gatshëm për Laçin. Pas dëmtimit, Elvi Berisha në rrjetet sociale njoftoi se do të mungonte 4 deri në 6 javë.
Pushimi i kampionatit i vjen në ndihmë sulmuesi, që së shpejti do të jetë i gatshëm për trajnerin Sulejman Starova. Gradualisht po vjen koha edhe për Ivan Galiç, i cili që në muajin shtator u dëmtua dhe u operua në gju. Prej janarit ai po stërvitet me kurbinasit dhe të gjithë presin rikthimin e tij.