Laçi dhe Partizani përballen të dielën prej orës 14:00, ndërkohë që tifozët e kuq kanë marrë një lajm të mirë. Klubi kurbinase është treguar bujar, duke u dhënë më shumë bileta seç u takojnë miqve.
Me rregullore, referuar kapacitetit të stadiumit të Laçit, bardhezinjtë kanë detyrim të lënë në dispozicion të miqve rreth 150 bileta. Nuk do të ndodhë kështu dhe diçka të tillë e njoftojnë “Ultras Guerrils”. Laçi u ka lënë në dispozicion të gjithë tribunën pas porte tifozerisë mike.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se i gjithë sektori mbrapa porte është vënë ne dispozicion te tifozerisë sonë nga klubi i Laçit. Ndaj ka vend dhe bileta për të gjithë! Mos mungoni! Nesër publikojmë edhe detajet e organizimit dhe nisjes së autobusëve! Festa ka filluar tashmë! Forca Partizan”, njoftojnë Guerrils përmes faqes së tyre zyrtare në “Facebook”.
Një ditë më parë, kompania “blinibileta.com” ka dalë me njoftim për çmimet e biletave të përballjes Laçi-Partizani. Çmimet janë ato të zakonshmet, teksa në tribunën kryesore një biletë kushton 500 lekë, kurse në dy tribunat e tjera kushtojnë 200 dhe 300 lekë.
LAÇI – PARTIZANI (17.02.2019, ora 14:00; Stadiumi “Laçi”)
Tribuna kryesore – 500 Lekë të reja
Tribunat B – 200 Lekë të reja
Tribuna C (Miqtë) – 300 Lekë të reja