Laçi i nis me “zbor” përgatitjet

Dy ditë pushim ishin të nevojshme për Laçin, ndërkohë që dje ekipi është vënë nën urdhrat e trajnerit Gentian Mezani për të nisur përgatitjet. Fokusi është ndeshja me Skënderbeun, një sfidë që nuk do diskutim mbi vështirësinë, por bardhezinjtë nuk kanë çfarë humbasin dhe e sigurt është që motivimi do të jetë në nivelin e duhur. Me korçarët mund të humbasë kushdo dhe në këtë rast presioni është te kundërshtari. Dita e djeshme stërvitore është përqendruar te përgatitja fizike dhe trajneri vlonjat ka punuar me ekipin në këtë aspekt. Futbollistët i janë nënshtruar disa cirkuiteve të ndryshme, me qëllim marrjen e ngarkesës së nevojshme fizike. Gradualisht në ditët në vijim puna do të fokusohet më së shumti në anën taktike, për të përgatitur më së miri ndeshjen me Skënderbeun. Fitorja me Vllazninë ka bërë që te Laçi optimizmi të vijë në rritje, duke lënë në këtë mënyrë pas dy humbjet e pësuara ndaj Luftëtarit dhe Kukësit. Edhe në Korçë do të shkohet për të mos dalë pa pikë.

REXHINALDO – Gjendja e sulmuesit nga Mozambiku po vjen çdo ditë në përmirësim. Dje Rexhinaldo i nisi përgatitjet me grupin, duke kryer një pjesë të mirë të ushtrimeve fizike, por në momentin e lojës ai vijoi i diferencuar. Gradualisht ai do të shtojë ritmin dhe të aktivizohet normalisht. 28-vjeçari pritet të jetë gati për ndeshjen me Skënderbeun, për të bërë në këtë mënyrë edhe debutimin me Laçin, pasi që prej afrimit në skuadër ka luajtur vetëm në miqësoret e verës, madje e nisi me gol duke i shënuar Dinamos në sfidën e fituar 4-0 nga kurbinasit në Pezë-Helmës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *