Kastrioti u mund nga Tirana fundjavën e shkuar dhe tanimë luan në shtëpi me Teutën. Para takimit të radhës, mesfushori Herald Marku është ai që ka folur për mediat. Ish-futbollisti i Tërbunit, i cili provoi një eksperiencë në Gjermani, po luan rregullisht me krutanët që prej emërimit të Stavri Nicës.
“Humbjen me Tiranën e kemi lënë pas, tani jemi të fokusuar te ndeshja e radhës me Teutën. Ata janë një skuadër që vijnë nga një gjendje mirë, si dhe një ekip i fortë. Por mendoj se ne mund të futemi në fushë dhe të bëjmë maksimumin për të marrë tre pikët”, u shpreh Marku, i cili më tej thekson se Kastrioti në këtë moment ka shumë nevojë për pikë.
“Kemi një skuadër që me këtë kontingjent po bën shumë mirë, kemi zhvilluar lojëra të mira dhe tani na duhen pikët. Do futemi në fushë të bëjmë atë kemi praktikuar gjatë javës. Me shumë punë dhe duke dhënë maksimumin them se mund t’ia dalim”, shtoi mesfushori.
Në fund ai foli edhe për objektivin mbijetesë dhe beson se Kastrioti mund t’ia dalë: “Në garën për mbijetesë, ka edhe shumë ndeshje. Do futemi të marrim sa më shumë pikë në këta dy ndeshje. Jemi në një fazë që na interesojnë vetëm pikët. Sa i takon rivalitetit, janë 4 skuadra që janë në garë për mbijetesë. Ne duhet të punojmë fort, të jemi shumë të përqendruar, mund t’ia dalim. Merkato e janarit do të na vijë ndihmë, pasi ekipi mund të përforcohet në repartet ku kemi nevojë”.