Shkëlqim Muça është i bindur dhe nuk tërhiqet pas nga ajo që thotë. I tërhequr nga drejtimi i ekipeve, ai vijon të ndjekë futbollin shqiptar dhe mendon se Tirana aktuale është më e dobëta e 30 viteve të fundit. Gjithashtu ai thekson se bardheblutë e kanë humbur grintën karakteristike që e kanë pasur ndër vite.
Fillimisht ai analizon sfidën Tirana-Kastrioti dhe fjalët e Muçës në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH janë: “Natyrisht që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për Tiranën, që të mbyllte çështjen e mbijetesës. Nga ajo që pamë në fushë nuk meritoi më shumë se sa mori. Madje në disa momente edhe mund të kishte pësuar. Paraqiti një lojë të dobët, një lojë pa grinte, jashtë atyre karakteristikave që ka Tirana”.
Më tej Muça e shton dozën e kritikave: “Pavarësisht se ishte një ndeshje jetike, pa ngarkesën e tifozëve, skuadra ishte shumë e vaktë, shumë pa grintë, pa karakter. Mund ta them me plot gojën që është skuadra më e dobët e këtyre 30 viteve të fundit, në aspektin e cilësive. Kam qenë gjithë kohën i ingranuar me futbollin. Është ekipi më i dobët i 30 viteve të fundit, e them me bindje. Sa i takon shpëtimit, janë edhe dy ndeshje dhe Tirana e Kastrioti kanë ndeshje të vështira”.