Ernesto Valverde nuk po e preferon më për skemat e tij dhe zërat e merkatos flasin për nja kalim të Kutinjos te Mançester Junajtid. Barcelona nuk dëshiron të nxitohet dhe nuk e preferon shitjen e tij, ndërsa të njëjtën gjë shpreson dhe… Liverpuli!
Siç zbulon “The Mirror”, klubi anglez ka përfshirë klauzola të shumta në marrëveshjen me Barcelonën. E veçanta ishte klauzola që pengon Barcelonën të kërkojë një futbollist të ekipit të Klopit në tre vitet e ardhshme, ndërsa ka dhe disa të tjera në aspektin financiar.
Liverpuli do të fitonte 5 milionë euro nëse lojtari ofensiv luan 25 ndeshje me Barcelonën në kampionat; 20 milionë euro kur Kutinjo të arrijë 100 ndeshje me Barçën në kampionat; 10 milionë euro për dy kualifikimet e radhës të Barcelonës në Ligën e Kampioneve dhe 5 milionë euro nëse Barcelona fiton Ligën e kampioneve deri në mbylljen e kontratës së Kutinjos me këtë klub.
Liverpuli ka siguruar vetëm 5 milionë eurot e para, pasi braziliani ka arritur në shifrën e 34 ndeshjeve në La Liga me Barcelonën, ndërsa largimi i tij nga ekipi katalanas do të bënte që anglezët të humbitnin miliona “të thjeshta”. Përveç faktit që drejtuesit e “The Reds” nuk do të dëshironin të shihnin lojtarin te armiqtë e urryer të Junajtid, ata shpresojnë që Kutinjo të vazhdojë të qëndrojë në Spanjë, në mënyrë që të vazhdojnë të mbushin arkat.