“Kush nuk do Kosovën, nuk do as Shqipërinë”, Ismajli: Nuk e theva premtimin!

Ardian Ismajli do të jetë pjesë e Shqipërisë. Mbrojtësi i Hajduk Split është grumbulluar për dy ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Një ëndërr e plotësuar për të riun: “Ka qenë një ëndërr e imja që t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mali i Zi dhe të gjithë diasporën. Për mua do të thotë se jam i privilegjuar që luaj për shqiptarët dhe për flamurin e kuq e zi e që i përfaqëson të gjithë shqiptarët”, është shprehur Ismajli “Kallxo.com”.

Mbrojtësi ka përsëritur që prej muajsh trajneri Kristian Panuçi e kishte kontaktuar, ndërkohë që ka edhe një reagim për deklaratën e Eroll Salihut, i cili është shprehur se kush nuk e do Kosovën,  nuk e do edhe Shqipërinë.

“Më vjen shumë keq kur dëgjoj deklarata dhe atë pikërisht nga Eroll Salihu, sepse ai më njeh mirë dhe e dinë mirë se çka ka ndodh. Por do të ia lëmë kohës. Me vdekjen e Vokrrit, ndryshuan gjërat në FFK. Nuk e kam thyer premtimin, por u thye puna e të ndjerit”, përfundon Ismajli, i cili ka treguar gjithashtu se te Shqipëria e kanë pritur mjaft mirë.

QËNDRIMI I SALIHUT– Për “Expresss Intervist” në KTV, Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka folur në lidhje me kalimin e Ardian Ismajlit te Shqipëria. Mes federatave ka pasur komunikim dhe është respektuar zgjedhja e lojtarit, por nuk ka munguar “thumbimi” për mbrojtësin.

“Ai që nuk e do Kosovën, nuk e do as Shqipërinë. Ai mund ta gënjejë veten. Në aspektin sportiv është shantazh. Nuk mund t’i garantojë trajneri askujt se do të luajë. Nuk ka luajtur me skuadrën e vet, por e kemi bërë kapiten te të rinjtë. Gjithçka varet nga karakteri. Shqipëria na ka lajmëruar në mënyrë miqësore. Kemi raporte shumë të mira me ta. Kur na lajmëruan u kemi thënë se nëse është vendim i lojtarit, nuk duam të ndërhyjmë. Ai që nuk e do Kosovën, nuk mund ta dojë as kombëtaren e Shqipërisë”, ka thënë Salihu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *