Tibo Kurtua është në luftë të hapur me klubin e Çelsit. Portieri belg, dy ditë para mbylljes së merkatos në Angli, nuk është shfaqur në stërvitjet me londinezët shkruajnë mediat në Angli. Kjo sigurisht nuk do të shpëtojë pa masa, pasi leja për portierin kishte përfunduar.
Prej kohësh Kurtua e ka bërë të ditur se do të largohet. Ai madje u kishte lënë afat drejtuesve të klubit, duke u thënë qartazi që ta shesin, ndryshe verën e ardhshme do e humbin me parametra zero. Edhe menaxheri i lojtarit ka qenë në të njëjtën linjë, madje ka shtuar se Çelsit nuk i intereson të ketë në ekip një lojtar që nuk është i lumtur.
Deri më tani blutë nuk janë dorëzuar dhe po i përgatitin gjobën portierit. Raportohet se më shumë se 220 mijë euro gjobë do të ketë për Kurtua, i cili pret që Çelsi ta shesë te Reali i Madridit, klub i interesuar për shërbimet e portierit, që më parë ka luajtur në Spanjë me Atletiko Madrid.
Kurtua nuk e bën për herë të parë një veprim të tillë. Kur ishte pjesë e Genkut në vitin 2011 në Belgjikë, ai nuk u paraqit në një miqësore me Lionin, ashtu sikurse edhe në takimin me tifozët në ditën e hapur për ta. Tanimë synon sërish të japë mesazhin e qartë për Çelsin se duhet të heqin dorë prej tij.