Tibo Kurtua do të qëndrojë për 6 vitet e ardhshme në Madrid. Belgu, i cili u shpall dhe portieri më i mirë i Botërorit të zhvilluar në Rusi do ta vijojë karrierën e tij në Spanjë, ku ka dhe familjen e tij.
Largimi nga Blutë e Londrës nuk ishte dhe aq miqësor, pasi “gardiani” për dy ditë refuzoi që të stërvitjen me ekipin, duke kërkuar largimin me çdo kusht, por ai ka vendosur që përmes një postimi të sqarojë se kjo zgjedhje ka pasur një arsye të fortë për të. Në të njëjtën kohë Kurtua thekson se e ndjen veten me fat që ka qenë pjesë e një skuadre si Çelsi.
“Ju uroj më të mira në të ardhme dhe dua të them se ka qenë një nder shumë i madh që isha pjesë e familjes së Çelsit”.
“Dua të përshëndes Çelsin përmes këtij postimi dhe i shpreh të gjithë mirënjohjen tim, pasi do të ketë një vend të veçantë në zemrën time. Unë kam qenë vetëm 19 vjeç kur klubi besoi tek aftësitë e mira. Ishte si një ëndërr e realizuar. Vendimi për të ndryshuar ambient më ndihmoi që të rritem si portier, për t’u përgatitur për t’u rikthyer dhe kur ndodhi isha vërtetë i lumtur që isha pjesë e një prej ekipeve më të rëndësishme në botë”.
“Jam shumë krenar që kemi mundur të fitojmë 2 herë titullin dhe Kupën FA. Falënderoj pa masë shokët e ekipit dhe gjithë stafin, për katër vitet e fundit. E fundit por jo nga rëndësia, falënderoj tifozët për gjithë mbështetjen e tyre gjatë kësaj periudha dhe shpresoj që të më kuptojnë se vendimi për t’u larguar ishte se për mua është shumë e rëndësishme që të jem pranë fëmijëve të mi. Ju uroj më të mirat dhe ka qenë nder që isha pjesë e familjes së Çelsit”.