Kukësi është larg pritshmërive, teksa skuadra verilindore ndodhet 10 pikë pas Partizanit kryesues. Në tre ndeshjet e fundit, të besuarit e Cungut nuk kanë mundur që të fitojnë asnjë ndeshje dhe pushimi duket se erdhi në momentin e duhur për të rifituar qetësinë e munguar, ndonëse te Kukësi dihet që nuk heqin asnjëherë dorë nga një objektiv, për sa kohë matematikisht mund ta arrijnë.
Klima në skuadër duket e mirë, të paktën kjo kuptohet nga fotot që sportistët postojnë në rrjetet sociale. Dino Shpehar ka postuar një foto sot me Arlind Kalanë, Ardian Cuculin dhe Donjet Shkodrën. Mbi foto shkruhet “Kupa e Pezës-Helmës, 4+1”. Siç kuptohet, sot kuksianët kanë zhvilluar një mini-turne dhe kroati e i ka vënë dhe emër, përderisa ai dhe skuadra e tij kanë fituar.
Ndeshja e radhës për Kukësin është ajo me Kamzën, që është programuar për t’u luajtur këtë të diel në transfertë. Pozitiv fakti se skuadra mund të jetë përshtatur me terrenin e këtij stadiumi, pasi aty ka zhvilluar dy ndeshjet e fundit si pritës.