Kalidou Kulibali është padiskutim një nga lojtarët më të mirë që Napoli ka në përbërje. Senegalezi është një futbollist që shumë skuadra do të kishin dëshirë që ta kishin në skuadër, por presidenti i Napolit është treguar gjithnjë i prerë se mbrojtësi nuk është në shitje.
Gjithsesi, në ndeshjen e fundit mes Napolit dhe Liverpulit, Barcelona kishte çuar skaut në stadium për të ndjekur nga afër senegalezin. Mbrojtësi bëri një paraqitje të mirë, edhe pse duket një lëvizje e kotë nga ana e katalanasve, pasi 27-vjeçari nuk ka nevoje të vazhdohet nga afër, kjo për shkak se dihen aftësitë e tij.
Në ndjekje të Kulibali është dhe Mançester Junajti dhe Çelsi, ndërsa tani është dhe Barça që do të marrë pjesë në ankand. Kjo situatë duket se i shkon për shtat Napolit, që fërkon duart dhe pret oferta stratosferike, pasi presidenti De Laurentis ka theksuar se nuk kënaqet me pak dhe se ai në verën që lamë pas ka refuzuar plot 100 milionë euro për Kulibalinë.
Duket pak e vështirë që një skuadër të ofrojë një shifër me tre shifra për një mbrojtës, por kjo duhet parë në të ardhmen, pasi asnjëherë nuk i dihet dhe në treg po dëgjojmë çdo vit shifra të padëgjuara më parë.