Alla-Kukësi, tani është kthyer në luftë, më shumë mediatike, sesa ligjore, sepse ka shumë fjalë, por ende asnjë vepër.
Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare nuk është paraqitur në grumbullimin e skuadrës për kupat e Europës, me justifikimin se kontrata e tij ka mbaruar dhe se klauzola që e detyron vetëm për kupat e Europës është e paligjshme.
Në fakt, këtu Alla ka të drejtë, sepse sipas rregullores së FIFA-s dhe UEFA-s kontratat përfundojnë në fund të sezonit të rregullt dhe nuk kanë fuqi vepruese për sezonin pasardhës. Kjo do të thotë se nëse Allës i ka përfunduar kontrata më 31 maj 2017, atëherë nuk është logjike që ai të ketë detyrimin të luajë për Kukësin në Europë deri në korrik, gusht, apo më tej, nëse Kukësi kap grupet në Champions League apo Europa League.
Megjithatë, Kukësi tund kontratën, që është legjitimuar edhe nga FSHF, e cila ka një justifikim që në fakt në FIFA e UEFA nuk pi ujë: Nëse palët janë dakord, kontrata është e vlefshme!
“Sport Ekspres” ka kontaktuar menaxherin e Kukësit, Naim Halili, pas lajmit se Alla ka firmosur në Greqi dhe komenti i Halilit ka qenë i prerë: “Transferimi i Allës është i paligjshëm. Ne do të kontaktojmë me klubin e Larisës, ku do t’i paraqitim kontratën e lojtarit. Këtë çështje do ta ndjekim në FIFA dhe nuk do t’ia japim lejekalimin ndërkombëtar dhe do ta penalizojmë lojtarin”.
Kjo do të thotë se Alla dhe Kukësi tashmë duhet të përballen në FIFA, duke qenë se Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka ndërmend të vendosë pro apo kundër secilës palë.