Rrëzimi i helikopterit që solli vdekjen e presidentit të Leister Sitit, Vichai Srivaddhanaprabha dhe katër njerëzve të tjerë pak metra larg stadiumit “King Power” solli një trishtim të madh në botën e futbollit.
Një prej njerëzve që vuajti më shumë nga tragjedia e ndodhur ishte Kasper Shmajkëll. Portieri 32-vjeçar ishte shumë i lidhur me presidentin tajlandez. Danezi mban mend çdo detaj të pasdites së 27 tetorit të këtij viti dhe ishte i pari që vrapoi për të dhënë ndihmën e tij.
Në një prononcim për “Sky Sport”, Shmajkëll i rikthehet mes emocioneve ngjarjes së ndodhur dhe tregon një episod të veçantë të ndodhur me Vichain, i cili i bëri një surprizë fantastike gjatë kohës që kishte thyer këmbën.
TRAGJEDIA – “Fatkeqësisht unë mbaj mend gjithçka, madje çdo detaj të vogël. Më kishte ardhur familja nga Danimarka dhe ju bëra atyre një shëtitje në fushë dhe rreth stadiumit, ndësa helikopteri po bëhej gati për fluturim. Në e përshëndetëm atë në fillim, në fund dhe e pamë të ngjitej lart. E kisha parë presidentin me qindra herë ta bënte këtë gjë, ishte një ritual i tij në fund të ndeshjeve. Vrapova menjëherë dhe dola jashtë stadiumit. Njerëzit në atë anë të stadiumit nuk e kishin parë çfarë kishte ndodhur, kështu që unë po vrapoja duke ulëritur që njerëzit të lajmëronin policinë. Një nga rojet e sigurisë më pa dhe u nis në vrap pas meje. Arritëm të afrohemi, roja e sigurisë u afrua përpara meje dhe u përpoq të hyjë dhe të bënte diçka. Por, flaka ishte e madhe dhe u vu re se askush nuk mund të bënte gjë. Ishte e tmerrshme të ishe aq i pashpresë...”
SURPRIZA – “Kur theva këmbën, më duhej të shkoja në Londër, ndërsa do të luanim ndeshjen kundër Mançester Sitit në sezonin tonë të parë që u rikthyem në Premier Ligë. Presidenti erdhi në spital, më mori me vete dhe fluturuam për në Leister me helikopterin e tij për të parë ndeshjen së bashku. Ai nuk ishte i detyruar ta bënte këtë gjë, por e bëri.”