Ambienti në skuadrën e Interit po zien. Situata në ekipin zikaltër është përkeqësuar shumë së fundmi, teksa Mauro Ikardit i është hequr shiriti i kapitenit, që tashmë mbahet në krah nga Samir Handanoviç.
Me sa duket, e keqja sapo ka nisur për Interin, pasi siç raportohet nga mediat italiane, thuhet se Mauro Ikardi ka arritur një marrëveshje me Juventusin për të kaluar në Torino në fund të këtij sezoni. Në rast se mund të ndodhë diçka e tillë, do të ishte një kalim i bujshëm, pasi siç dihet, pas Milanit, ekipi më i urryer nga tifozët zikaltër është Juventusi.
Shkak për gjithë këtë rrëmujë thuhet të jetë edhe gruaja e argjentinasit, Uanda Nara, e cila njëkohësisht është edhe agjente e tij. Sipas asaj që është thënë në media dy ditët e fundit, Ikardi ka pasur një debat me Perishiç.
Ky i fundit mendohet të ketë pasur një debat me ish-kapitenin në dhomat e zhveshjes, pasi Uanda Nara ka folur keq për kroatin. Tashmë, pritet se si do të shkojë situata e Ikardit, i cili duket çdo ditë e më larg “San Siros”.