Bordi disiplinor i federatës portugeze të futbollit ka marrë masa kundër presidentit të Portos. “Dragonjtë e Oportos” rivalizuan deri javën e fundit për titullin kampion me Benfikën, por nuk ia dolën të triumfonin.
Pinto Da Kosta lëshoi akuza të forta kundrejt arbitrave, të cilët i cilësoi si kundërshtarë të veshur me të zeza, që ecin me bilbil në gojë ose qëndrojnë ulur përpara ekraneve televizive.
Këshilli i Arbitrazhit të futbollit luzitan denoncoi 81-vjeçarin, ndaj të cilit u morën masa. Da Kosta është pezulluar me 90 ditë dhe është gjobitur me 11.480 euro gjobë për deklaratat e bëra.
Ai mban rolin e presidentit të Portos prej vitit 1982 dhe numëron mbi 60 trofe të fituar, duke qenë presidenti më fitues në Evropë në aktivitet. Da Kosta njihet si një personazh kontrovers. Kjo nuk është hera e parë që dënohet. Në vitin 2008 u përfshi në afera korruptive dhe u dënua me dy vjet pezullim dhe 10 mijë euro gjobë.