Skënderbeu pësoi humbjen e dytë radhazi, ndërkohë që e pret një transfertë e vështirë javën e ardhshme me Teutën. Korçarët do të kenë të gatshëm për këtë sfidë mbrojtësin Kristi Vangjeli, i cili ishte i pezulluar me kartonë dhe mungoi kundër Tiranës.
Rikthimi i mbrojtësit të djathtë qetëson trajnerin Orges Shehi, pasi Vangjeli është shumë i rëndësishëm për formacionin e Skënderbeut. Në sfidën me bardheblutë asnjë futbollist nuk u ndëshkua, ndaj nuk do të ketë të pezulluar me kartonë.
Mungesë e sigurt është ajo e Dejvi Bregut. Vlonjati vijon përgatitjet i diferencuar dhe nuk mund të luajë në takimin me Teutën. Sulmuesi anësor shpreson që të jetë gati për ndeshjen me Kukësin, madje edhe në atë takim synohet të behët gati ta nisë nga stoli.
Por në takimin me Tiranën shfaqi probleme mbrojtësi Leonit Abazi, i cili la fushën e lojës i dëmtuar. Mbetet për t’u parë nëse për anësorin e majtë ka ndonjë problem serioz, apo do të jetë i gatshëm që në ndeshjen e radhës me Teutën.