Juventus-Inter është një klasike e futbollit italian. Të shumta përballjet emocionuese midis këtyre ekipeve dhe të pafund kampionët që kanë veshur uniformat e dy klubeve. Një prej tyre, me shumë mundësi më i madhi, ishte Ronaldo Fenomeni. Ai komenton supersfidën dhe tregon ngjashmëritë dhe ndryshimet me Kristiano Ronaldon.
Braziliani ka folur për përballjen e mbrëmjes së sotme për “Gazzetta dello Sport”, ndërsa i rikthehet dhe njëherë episodit të paharrueshëm për tifozët interistë. Ishte viti 1998 dhe Interi, që kishte nevojë për tre pikë, ishte në garë me bardhezinjtë për titullin kampion.
Luhej në Torino dhe arbitri nuk i jepte një penallti flagrante Ronaldos, i cili ndalej në mënyrë të parregullt nga Mark Iuliano. Mes protestave të zikaltërve, Juventus niste aksionin menjëherë dhe… penallti për bardhezinjtë. Paljuka e priste, por nëse akordohej ajo për Fenomenin, ndryshonte dhe historia e atij kampionati.
KRAHASIMI ME CR7 – “Është diçka me të cilën jam zbavitur gjithmonë, por jo: nuk ka më sens. Unë dhe Kristiano jemi kaq të ndryshëm. Mosha, mbi të gjitha. Kemi 9 vite diferencë dhe kemi luajtur në vite të ndryshme. Futbolli ka ndryshuar shpejt kohët e fundit dhe vazhdon të ndryshojë dhe më shpejt. Nuk dua të them se në kohën time ishte më i vështirë, por kemi kaluar situata të ndryshme me ekipe të ndryshme.”
NDRYSHIMET – “Një tjetër ndryshim është impakti me futbollin italian. Unë isha 20 vjeç, kisha dhënë mjaftueshëm me PSV dhe Barcelonën, por jo dhe aq shumë. Isha akoma një kampion në projekt, të paktën kështu ndihesha. Kristiano erdhi në Itali në moshën 33-vjeçare, në kulmin e pjekurisë së tij si futbollist. Në të vërtetë, erdhi në momentin kur është bërë një kampion. Jemi të ndryshëm për rolin dhe mënyrën se si e interpretojmë lojën. Ai luan më shumë në qendër tani dhe më afër portës. Ngjashmëri kemi në dëshirën për të shënuar, këtu po që jemi pothuajse njësoj.”
ZIKALTRIT – ‘Interi po rikuperon terren. Kur të jetë përfundimisht jashtë FFP (fair-play financiar) do të fillojë të përshpejtojë. Krahasimi Morati-Zhang nuk ka sens. E përjetojnë Interin në mënyra të ndryshme, por ngjajnë shumë në diçka: kinezët nuk kanë më pak dëshirë për të fituar se Morati.”
DUELI – “Juventus-Inter është një nga ato ndeshje, që mund t’i japë më shumë forcë një skuadre sesa pikët në renditje. Në këtë, vetëm në këtë, më kujtohet Juventus-Inter e vitit 1998. Ishim në garë për titullin, ndërsa skuadra aktuale nuk është realisht, dhe shkuam në atë përballje me guximin e duhur për të konfirmuar rritjen tonë. Interi i Spaletit duhet të bëjë të njëjtën gjë, duhet të shkojë në Torino me guximin e duhur. Më pas të shkojë si të shkojë ndeshja.”
PËRBALLJA E FAMSHME – “Ka kaluar shumë kohë nga ai takim dhe kemi diskutuar shumë për të. 20 vite më parë, pothuajse një jetë. Ishte një turp, e kam thënë që atë ditë, pavarësisht se nuk i dija disa gjëra. Ishin kohë të tjera për futbollin italian. Megjithatë, më duket se gjërat po shkojnë në drejtimi në drejtimin e duhur në Italia, apo jo?”