Reali i Madridit po kërkon nëpër merkato për të përforcuar ekipin. Emra të mëdhenj shihen afër ekipit te Lopeteguit dhe drejtuesit vazhdojnë punën. Ronaldo duhet zëvendësuar, por te Reali nuk duan të nxitohen. Por në klub ka një tjetër çështje që duhet zgjidhur.
Mateo Kovaçiç është i pakënaqur me qëndrimin në stol dhe dëshiron të luajë. Mesfushori kroat e ka vendosur dhe dëshiron të largohet. Siç citon spanjollja “AS”, 24-vjeçari ka udhëtuar drejt Valdebebas (qendra stërvitore e madrilenëve), për të takuar e diskutuar me trajnerin Lopetegui dhe shokët e ekipit. Ai ka parashtruar kërkesën e tij për t’u larguar. Në Madrid ndihet mirë, por Kovaçiç ka nevojë për minuta dhe aktivizim.
Ideja e kroatit gjithsesi nuk përputhet me atë të Realit. Në klub e cilësojnë të pashitshëm dhe po shqyrtojnë mundësinë për ti premtuar fanellën e titullarit. Për Kovaçiç interesohen shumë klube si: Roma, Inter, Bajern Mynih dhe Mançester Siti. Këto klube po monitorojnë situatën e mesfushorit dhe janë gati për të vepruar nëse rrugët mes Realit dhe Kovaçiç ndahen.