Kotobelli refuzon Partizanin

Me hapjen e merkatos Partizani është kthyer në një kantier ndërtimi. Ekipi i “demave” mbetet ndër skuadrat më aktive në merkato. Të kuqtë po punojnë në drejtime të ndryshme dhe nga drejtuesit e deri te stafi të gjithë janë në shërbim të formimit të grupit.  Merkatoja është e përqendruar në dy drejtime, në pritje të të besuarve të Moxhit dhe brenda vendit. Në kampionatin shqiptar emrat që përfliten që mund të kalojnë në drejtim të të kuqve janë Afrim Taku, Olsi Teqja, Bruno Dita dhe ndër më të kërkuarit Blerim Kotobelli. Futbollisti që ka mbyllur sezonin me Teutën ka pasur kontakte me Partizanin. Bisedimet kanë qenë të avancuara dhe palët kanë qenë shumë afër, por në fund ka ngecur sharra në gozhdë, pasi nuk është gjetur dakordësia përfundimtare. Marrëveshja mes palëve ka mbetur në fund dhe 24-vjeçari nuk ka pranuar kushtet e skuadrës së Partizanit. Ai tashmë nuk e sheh si një alternativë të parë, pavarësisht se merkatos nuk i dihet asnjëherë.

OFERTA – Partizani i ka paraqitur një ofertë në tryezë Kotobellit përmes edhe menaxherëve të tij. Futbollisti dhe grupi i tij që e menaxhon nuk e kanë pranuar dhe nuk kanë qenë të kënaqur nga kushtet e ofruara. Në kushte të tilla, mbrojtësi i spikatur po mendon për mundësi të tjera dhe nuk e sheh më ekipin kryeqytetas si mundësi të parë. Kushtet e ofruara nuk janë e vetmja arsye për mospëlqimin e tij, por edhe Moxhi ka pasur ndikimin e tij.

MOXHI – Këshilltari i presidentit Gaz Demi, Luçiano Moxhi, në mënyrë të pavetëdijshme i ka bërë “sparkatë” kalimit të mbrojtësit Kotobelli te Partizani. Italiani do të sjellë një nga lojtarët e tij në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe kjo ka “djegur” në sprint edhe skraparliun e Teutës. Si përfundim, marrëveshja mes të tyre është shumë e vështirë të ndodhë dhe tashmë pritet të shihet se kush do të afrohet nga Moxhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *