Opinion nga: Shpend Thaçi*
Në 24 orët e fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë reagimeve emocionale dhe entuziaste që provokoi shorti i hedhur në Dublin për kualifikimet e rregullta të “Euro 2020”.
Ndër ta isha edhe unë, por me të drejtë në gjykimin tim – dhe në vazhdim do e shpjegoj pozicionimin tim (modestisht).
Futbolli është industri, herë-herë edhe sinergjik me “politikën”, por edhe fuqi e madhe në raport me imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Po e bëj një digresion fare të shkurtër; -unë jam rritur me futbollin anglez dhe e dua në pafundësi. Jam rritur duke e trashëguar pasionin ndaj Liverpool dhe Anglisë nga babai im. Jam tejet koshient se kë e kemi përballë. S’ma vret asnjeri mendjen, sidomos për përbërjen e Anglisë dhe kapacitetin e saj në raport me ne dhe jo vetëm.
Besoj që, as unë, as asnjëri nga ata që gjykojnë me kokë dhe mbështesin me zemër Kosovën, nuk kemi pretendime që do i prishim punë “3 Luanëve”.
Tani do e them timen, si e shoh këtë dritare të kualifikimit për Kosovën dhe pse jam i dëfryer.
Pikë së pari, besoj që Republika e Çekisë dhe Mali i Zi janë me cilësi shumë më lart sesa Bullgaria. Mos të harrojmë, Mali i Zi ka lojtarë të Serie A dhe La Liga, që luajnë titullarë në ekipet e tyre dhe madje janë bartës të lojës. Saviç dhe Maurisiç janë titullarë të skuadrave si Lazio apo Atletico Madrid. Fakti që dështoi në “Nations League”, kishte të bënte edhe me faktin që periudha e fundit tre mujore e fqinjëve tanë u karakterizua me shumë mungesa, si shkak i lëndimeve.
Çfarë dua të them është se unë, si Shpend, nuk e besoj kualifikimin dhe nuk e shoh qenjësore t’i vihet një presion kombëtares së Kosovës për t’u kualifikuar medoemos. Pse?
S’ka kuptim!
Objektivi i vërtetë ishte që të plasoheshim në Ligën C dhe të arrinim gjysmëfinalet e marsit 2020, në “Nations League”. Përtej kësaj, çdo pritshmëri është irracionale. “Po”, edhe të pretendosh domosdoshmërisht ta mposhtësh Maqedoninë dhe fituesin e çiftit Gjeorgji – Bjellorusi në finale, është “ëndërr irracionale”.
Matjet duhet të jenë reale. Unë kam qenë përherë konsistent që pas sigurimit të “play off”-it, s’kemi asgjë për të humbur, por asgjë edhe për të vajtuar në rast se dështojmë. Në pikëpamjen time, gjendja faktike është kjo që sapo përmenda.
Pse u gëzova shumë për shortin dhe pse ishte dhuratë shumë-dimensionale për ne?
Kur them shumë-dimensionale, e kam parasysh kuptimin e terminologjisë. “Po”, ishte dhuratë e tillë.
Vendi im, Kosova, përballet me probleme të çfarëdolloj natyre në forcimin e sovranitetit të saj. Ai më mizori është izolimi i popullatës dhe prishja e imazhit të vendit në vitet e fundit, nga fushatat e parreshtura të armikut tonë, Serbisë.
Ne jemi dëshmitarë që hallka e fundit ka mbetur “sporti” për ta venitur atë në majën e PR-it (promovimit) që ka për qëllim përmirësimin e këtij dëmi madhor që na është faturuar.
Viti 2019 do ta agravojë këtë situatë, ku problemet politike mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë dhe ngritja e aktakuzave të para nga “Gjykata Speciale”, do kulmojnë në ballinat e shtypit ndërkombëtar me shkrime pezhorative për Kosovën tonë të dashur.
Ne kemi parë përpjekje të llojllojshme që krerët e institucioneve tona paguajnë para të majme nga buxheti i Republikës, për t’i sponsorizuar shkrimet e tyre në prestigjiozet angleze dhe amerikane.
E ku ka më mirë se sa të luajmë ndaj Anglisë dhe të na bëjnë vet ata promovimin, falas, dy herë brenda 2 muajve?
Ku ka rast më të mirë ta bëjmë një reklamë dinjitoze rreth sistemit të futbollit, jetës së qytetarëve me sportin dhe t’i tregojmë vlerat tona civilizuese se sa kësaj radhe, kur kemi të bëjmë me shtypin absolutisht më me ndikim, më të fuqishëm dhe më të ndjekur evropian, atë anglez?
Ku ka rast më të volitshëm të tregohemi të mençur, t’i presim mirë dhe dinjitetshëm, gjithë ata tifozë që do e vërshojnë Prishtinën jo 1 ditë para ndeshjes siç bëjnë shumica e tifozëve të kombëtareve tjera jo-anglosaksone, por 1 javë më herët?
Edhe unë do doja të mendoja vetëm për rezultat. Po të ishte Shqipëria ta zëmë, vend i pakontestueshëm në hartën ndërkombëtare gjeopolitike dhe sportive (faleminderit Zotit që s’është si ne), edhe unë do e shihja Anglinë vetëm nga aspekti i rezultatit dhe i analizës sportive. Por jo, për Kosovën është dhuratë, i kalon kufijtë e rëndësisë sportive. Prandaj ne duhet që pëllëmbë për pëllëmbë, çdo eveniment sportiv, nga futbolli deri në ping-pong, ta përcjellim edhe me transmetim të imazhit të vendit.
Vetëm fuqia parciale e delegacionit anglez, atij të dikasterit të “marketingut”, është më me peshë në opinionin sportiv ndërkombëtar se sa vet paraqitjet e shumicës së kombëtareve tjera të globit. Vetëm fotografët që i mbulojnë pragsfidat e Anglisë me publikime në Twitter, Instagram apo Facebook, mjaftojnë për ne, e lëre më shumë.
Vendi “ABC” i zhvillimit të PR-it, kombëtarja me PR-in gjithashtu më stratosferikin, zbret në Prishtinë, në një kryeqytet ku banorët e saj padrejtësisht kanë mbetur nën kafaz, të izoluar.
Ndjekësit e futbollit anglez e kanë parë me vëmendje çështjen që Matiç e mediatizoi, e ndërkombëtarizoi dhe e bëri temë debati: -mosbartjen e lules që nderon dëshmorët e UK të rënë në dy luftërat e mëdha botërore të shekullit të kaluar, me pretekstin që Britania e Madhe ishte iniciatore dhe pjesëmarrëse e bombardimeve, siç e quante ai “të padrejtë”, të Serbisë me 24 mars 1999 në luftën e Kosovës.
19 vite pas bombardimeve të NATO-së, Nemanja Matiç ia doli ta polarizojë opinionin publik anglez nëse Anglia kishte bërë mirë apo jo që kishte ndërhyrë ushtarakisht ndaj Serbisë. Edhe ky ishte një “grusht” i rëndë për vendin tim, sepse dashakeqësit që e mbronin Matiç kinse-arsyetoheshin me kinse-faktet që ne qenkemi “terroristë” dhe që përbëjmë “rrezik për botën”.
Mirë, 10 shtatori dhe 17 nëntori i 2019-es mund t’i heqin të gjitha këto “dilema” atje.
Një ndeshje që s’vlen pikë sportive, por krenari shtetërore, kombëtare dhe reputacion të vendit. Ditët ku nga “BBC” deri në “DailyMail” do ia bëjnë dhuratën e vitit Kosovës, duke e renditur në majat e ballinave, si shtet me popullatë civilizuese, me afinitet shoqëror dhe në trend me botën e kulturuar. Do ngremë dolli në Prishtinë me anglezët, do festojmë BARAZINË dhe do i gjunjëzojmë një herë e përgjithmonë stereotipet sfilitëse. Koha është të tregojmë qytetarinë tonë, përballë egërsisë së huaj.
* Autori i shkrimit është një ndër sportdashësit më racionalë e të informuar, në veçanti në lidhje me temat që kanë të bëjnë me futbollin e Kosovës dhe sidomos Përfaqësuesen.