Korabi u braktis pak orë para ndeshjes kundër Burrelit nga stafi dhe nga shumë lojtarë. Vetë klubi dibran ka njoftuar se u larguan pak orë para ndeshjes Burreli-Korabi, trajneri Julian Ahmati, zëvendëstrajneri Akil Jakupi dhe tekniku i portierëve Blendi Vashaku, duke paraqitur dorëheqjen. “Ekipi kishte mungesa të rëndësishme, plot shtatë lojtarë të formacionit si Elidon Selaci, Xhulio Jaupi, Xhulian Turhani, Joseb Çakvashvili, Emiljano Veliaj, Anteo Osmanllari dhe Geraldo Kaloshi, të cilët nuk u grumbulluan për shkak dëmtimesh, probleme fizike, por dhe plotësimit të numrave të kartonëve, gjë që ndikoi dhe në rezultatin e së shtunës”, bënë me dije zyrtarë të klubit dibran. Klubi i Korabit ka falënderuar publikisht trajnerët për punën e bërë në kohë rekord, ndërtimin e ekipit pa fazë përgatitore dhe përballimin e vështirësive së bashku me drejtuesit. Mirëpo nuk janë të njëjtit mendim tifozët e Korabit. Sipas tyre, shkaku kryesor i dorëheqjes së tre drejtuesve të stafit teknik dhe mungesa e shtatë titullarëve në përballjen Burreli-Korabi është se Bashkia Dibër dhe klubi i futbollit. Këta të fundit nuk kanë mbajtur premtimin për dhënien e pagave për lojtarët dhe trajnerët. Ata shkojnë më tej, kur thonë se trajneri duhet të jetë dibran dhe skuadra duhet të stërvitet në Peshkopi, duke hedhur dyshime se stërvitja nuk zhvillohet në parametrat e kërkuar.
Albi Lala