Vllaznia është drejt rikthimit në Superiore, por së fundmi ka pasur probleme. Trajneri Agim Canaj është vënë në pozicion të vështirë, teksa mësohet se ka pasur presione karshi tij. Gjithashtu e njëjta gjë thuhet edhe për administratorin e kuqebluve, Suad Licin.
Klubi shkodran ka reaguar ditën e sotme dhe konfirmon se Agim Canaj do të vijojë të drejtojë skuadrën, ndërkohë që shqyrtohet akoma ajo që ka ndodhur në stërvitjen e kuqebluve. Deri më tani nuk ka asnjë vendim, apo detaje të tjera.
QËNDRIMI I VLLAZNIZË – Klubi i Futbollit “Vllaznia”, në përgjigje të interesit publik dhe të mediave sqaron sa më poshtë vijon: “Pasi jemi njohur me shqetësimin e ngritur nga stafi teknik ditët e fundit për veprime anti-sportive në ekipin e parë, po e shqyrtojmë me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të klubit dhe tifozëve dhe në momentin kur të ketë një vendimmarrje, si gjithmonë, do t’i bëhet e njohur mediave dhe opinionit publik. Po ashtu, sqarojmë se stafi i Klubit të Futbollit “Vllaznia” vazhdon i pandryshuar punën e tij të përditshme për të finalizuar objektivin e ringritjes në Superligë”.