Pas një ndeshjeje në kufijtë e perfektes, Enea Koliçi tregon për “Supersport” se tashmë sheh nga ndeshja e kthimit, ku beson se mund të arrihet dhe kualifikimi. Paraqitja e tij ka bërë mjaft jehonë, por për “gardianin” e Kukësit është vetëm puna e tij. Nëse do të arrihet kualifikimi përballë Sherifit, shorti ka rezervuar një përballje me kapitenin e kombëtares dhe për portierin 31-vjeçar do të ishte një eksperiencë e bukur. E ardhmja? Si fillim duhet të përfundojë aventura europiane dhe më pas gjithçka mbetet e hapur.
PERFROMACA
“Do të isha më i lumtur nëse do të kualifikoheshim dhe bashkë me paraqitjen time ekipi të kalonte në fazën e tretë të Championsit. Unë do të jap detyrën time, do të jap maksimumin edhe në këtë ndeshje, kjo është puna dhe për këtë jemi të gjithë këtu. Shpresoj që të gjithë futbollistët të jenë në formën më të mirë dhe të arrijmë që të marrim një fitore që të shkojmë në raundin e tretë”.
NDESHJA E KTHIMIT
“Besoj se mundësitë i kemi, pasi kemi punuar shumë në fazën përgatitore, kemi dhe 3-4 ditë të përgatitemi për ndeshjen e kthimit. Shanset janë të barabarta besoj dhe nëse japim maksimumin dhe të jemi të përqendruar do t’ia arrijmë. Normal që duhet të jemi të kujdesshëm dhe do të përpiqemi të shënojmë të parët dhe të mos pësojmë, kjo është e vetmja mënyrë për kualifikimin”.
KARABAGU
“Rëndësi ka që të kalojmë këtë tur dhe më pas do të kemi kohë që të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ekipi i Karabagut është një skuadër mjaft e fortë. Të përballeshim me kapitenin e kombëtares do të ishte një eksperiencë shumë e bukur”.
E ARDHMJA
“Unë do të jem në dispozicion të Kukësit derisa të mbarojnë kupat e Europës dhe më pas do të ulem me presidentin dhe do të flasim për të ardhmen time. Të shohim”.