Liverpuli mori një fitore në frymën e fundit, pasditen e sotme ndaj Totenhemit, me shifrat 2-1. Pas sfidës, ku “The Reds” vuajtën jo pak, foli trajneri Jurgen Klop, i cili pranoi se fitorja ishte e hidhur dhe e çuditshme, por gjithsesi trajneri gjerman nuk ngurroi të shfaqtë lumturinë.
“Isha i qetë pas golit të fitores, sepse ishte surprizë e gjithë situata. Pash vetëm goditjen me kokë dhe asgjë tjetër. Nuk e kisha idenë se si topi hyri brenda në portë.”
“Në pjesën e parë patëm shumë raste dhe shënuam një gol të bukur. Pjesën e dytë luajtëm shumë të paqartë dhe nuk u përshtatëm mirë. Pas golit të Totenhem, nisëm të luanim përsëri. Krijuam raste dhe shënuam. Po rivalizojmë ekipin më të fortë në Botë, Mançester Sitin dhe sot luanim ndaj një ndër më të mirëve në Botë, Totenhemit.”
“E kam thënë dhe më parë, ka 500 mënyra për të fituar një ndeshje futbolli dhe sot ishte shumë e hidhur si fitore. Gjithsesi, kujt i intereson? Jam i lumtur.”
Gjithashtu, për “Sky Sport” ka folur edhe një ndër lojtarët kyç të të kuqve, pikërisht Virxhil Van Dijk, i cili u shpreh: “Ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një ekipi mjaft të fortë. E rëndësishme është që morëm tri pikët. Kur vijnë këto momente, asnjëherë nuk dorëzohemi. Për sa i përket titullit, do të provojmë të fitojmë çdo ndeshje deri në fund dhe të shohim”, përfundoi holandezi.