Sokol Neziri, lojtari i Kastriotit, foli për ngjarjen që ndodhi në Fushë-Krujë para ndeshjes me Skënderbeun. Ai shprehu keqardhjen e tij për gjithçka, ndërkohë që në lidhjen direkte në “supersport” hodhi dyshimet se autorët e incidentit janë tifozë të Partizanit.
“Më vjen keq për atë që ndodhi. Ishim në analizë dhe nuk e pamë çfarë ndodhi. Folëm më lojtarët e Skënderbeut pastaj. Ka edhe shumë tifozët të Partizanit këtu dhe çdo ndeshje na kanë nxjerrë probleme. Edhe në ndeshjen me Teutën, u kapën me Osmanin”.
“Edhe ndeshjen tjetër me Teutën, ata u kapën me Osmanin ngaqë ishte nga Korça. U dënuam për atë ndeshje. Edhe me Tiranën na kanë nxjerrë probleme. Dihet që këtu është një bastion i kuq. Nuk kishin flamuj as asgjë tjetër. Këtu nuk ka ndodhur asgjë tjetër. Unë jam futbollist dhe organet përkatëse të marrin masa. Na vjen keq, pasi nuk ka pasur incidente në të shkuarën”.
“Stadiumi nuk plotëson kushtet? Shpresoj që drejtuesit ta zgjidhin. Keni të drejtë për çfarë thoni dhe uroj të ketë një zgjidhje për stadiumin”, tha Neziri.
REAGIM – Klubi krutan ka dalë me një deklaratë: “KS Kastrioti, pasi u njoh me pretendimin e kundërshtarëve mbi “incidentin” e ndodhur jashtë stadiumit, që siç pretendohet nga klubi korçar mes një tifozi dhe lojtarëve të Skënderbeut, distancohet nga çdo lloj akti dhune, qoftë edhe verbal, dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse sqarimin e kësaj situate.
Klubi kërkon të sqarojë opinionin e gjërë sportiv se në ambjentet e brendshme apo rreth stadiumit nuk ka ndodhur asnjë incident. Kjo është një indicje e sajuar për të prishur imazhin e klubit tonë. KS Kastrioti”.