Kërnaja konfirmohet te Tërbuni, premton skuadër dinjitoze

Pas suksesit që arriti sezonin e kaluar në drejtimin e Tërbunit duke e ngjitur nga Kategoria e Dytë në të Parën, trajneri Oltjon Kërnaja, është rikonfirmuar nga drejtuesit e klubit për të qenë në krye të skuadrës për sezonin në vazhdim. Tërbuni fitoi edhe finalen e Kategorisë së Dytë në sezonin e kaluar duke mundur Devollin, dhe aty skuadra tregoi se ka kualitete për t’iu besuar edhe në Kategorinë e Parë.

Për SportEkspres.com, trajneri Kërnaja deklaron se mbi 80% e skuadrës që luajti sezonin e kaluar në Kategorinë e Dytë, do jetë baza për sezonin e ri. “Mbyllëm një sezon shumë të mirë dhe baza e skuadrës do të jetë po ajo, por në 80% të saj. Sepse ngjitja në Kategorinë e Parë kërkon elementë cilësorë, ku për ne nevojiten përforcime në mbrojtje, mesfushë e sulm. Bisedimet me lojtarë të veçantë ne i kemi filluar dhe me dy prej tyre i mbyllim marrëveshjet këtë javë”.

Referuar motit të nxehtë dhe me temperatura të larta, tekniku i Tërbunit deklaron se përgatitjet do të nisin më 16 korrik, të ndara mes Tiranës dhe Pukës. “Më 16 korrik do nisim përgatitjet për sezonin e ri dhe hapësira përgatitore është e përshtatshme. Kemi menduar që ta shtrijmë mes përgatitjeve dy javore në Tiranë, dhe pjesën tjetër në Pukë. Kemi mbështetjen e klubit dhe të Bashkisë për gjithçka dhe besoj se do shkojë mirë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *