Mosmarrëveshje mes Muhamed Salah dhe federatës së futbollit të Egjiptit. Sipas sulmuesit, zyrtarët e federatës nuk kanë krijuar kushtet e nevojshme për sigurinë e tij, gjatë periudhës që ai merr pjesë me kombëtaren. Tifozët e teprojnë shpesh herë, por ka dhe nga ata që e mërzisin duke insistuar për foto dhe autografe.
Ka raste kur Salah stërvitet me kombëtaren dhe tifozët mbushin plot qendrat e stërvitjes, madje ka dhe nga ata që ne mes të natës i shkojnë poshtë hotelit dhe fillojnë të këndojnë për idhullin e tyre. Sulmuesi i Liverpulit është lodhur nga kjo situatë dhe i ka dërguar një letër federatës nëpërmjet avokatit të tij, Remi Abaz Isa.
Letra përmban disa kërkesa si: dorëheqja e zyrtarëve përgjegjës për sigurinë e ulët kundrejt tij. Salah e cilëson si të padurueshme përballjen me tifozët në çdo moment dhe kërkon të ketë gjithmonë dy njerëz afër që merren me sigurinë e tij. Telefonatat drejt dhomës së tij duhet të bllokohen dhe ai kërkon që atmosfera të jetë e qetë gjatë stërvitjeve të kombëtares, që do ta ndihmonte sulmuesin të përqendrohej te puna si dhe të mos lejohet “mësymja” e tifozëve drejt tij. Diçka e tillë e huton dhe e ka lodhur sulmuesin, i cili kërkon t’i ketë gjatë gjithë kohës dy persona të sigurisë me vete.
Egjiptiani kërkon të mos marrë më pjesë në eventet promocionale të përfaqësuese dhe sponsorët e kombëtares nuk duhet të përdorin të drejtat e tij të imazhit. Ai kërkon dhe një transport direkt nga aeroporti drejt hotelit, kur mbërrin në vendin e tij për grumbullimin me kombëtaren. Nëse kërkesat e tij do të miratohen, atëherë Salah do të hiqte dorë nga ideja për t’u larguar nga kombëtarja.
Federata nuk ka kthyer akoma përgjigje dhe Salah ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Twitter”.
“Gjëja normale është që federata e futbollit duhet të zgjidhë problemet e lojtarëve të saj në mënyrë që të ndihen më të qetë. Por, unë shoh të kundërtën në realitet. Nuk është normale që kërkesat e mija dhe të avokatit tim të injorohen. Nuk e kuptoj pse po ndodh diçka e tillë, nuk keni kohë për t’u përgjigjur?”, përfundon 26-vjeçari i Liverpulit.