E mbani mend kur Juventusi ra në Serinë B? Një dekadë më parë, pas procesit të Calciopoli-t, në Itali ndodhi katastrofa dhe “Zonjën e Vjetër” e zbritën një kategori më poshtë. Atëherë bëri bujë fakti që portieri Xhixhi Bufon, kapiteni Alesandro Del Piero, sulmuesi David Trezege, mesfushori Pavël Nedved, mbrojtësi Xhorxho Kielini e shumë emra të tjerë vendosën të qëndronin, duke refuzuar ofertat e duke lidhur besën për ta kthyer Juventusin menjëherë në Serinë A. Tashmë historia mund të përsëritet në Shqipëri, te Tirana, sepse për nga emri që ka klubi bardheblu në Shqipëri, mund të konsiderohet një “Zonjë e Vjetër”. Rënia në Kategorinë e Parë nuk do të thotë detyrimisht revolucion, pasi shumë lojtarë mund të qëndrojnë. I pari që mund të japë shembullin pozitiv është Ilion Lika, i cili përtej moshës, mund të ketë oferta nga shumë klube në Superiore, por për krenarinë e plagosur dhe për faktin që nuk dëshiron të lëvizë nga kryeqyteti, me shumë mundësi do të vazhdojë, çka do të ishte një ndihmë e madhe për Tiranën, duke parë formën fantastike të Likës këtë sezon. Ndërkaq, edhe Erando Karabeci mund të vendosë të qëndrojë një vit në “ferrin” e Kategorisë së Parë, për të mbetur më pas si një ikonë në këtë klub. Një tjetër lojtar i gatshëm të qëndrojë duket Dorian Kërçiku, gjithashtu i kërkuar në treg, por për çështje zemre e krenarie mund të refuzojë çdo ofertë. Edhe talenti i madh i mbrojtjes, Albi Doka, dje deklaroi se ishte i gatshëm të luante në Kategorinë e Parë, nëse klubi nuk e largon. Sinjale të forta, që flasin qartë se Tirana do të kthehet shpejt në Superiore, edhe pse kjo nuk ngushëllon askënd.
Shumica e skuadrës, nën kontratë
Nëse trajneri Josa është praktikisht i larguar, së bashku me stafin, skuadra ende nuk e ka të qartë të ardhmen e vet, por shumë lojtarë janë nën kontratë. Hoxhallari, Doka, Mervejl, Akua, Ede, Moise, Turtulli e Cake janë ende nën kontratë dhe nuk largohen dot, pa miratimin e klubit. Sise e Gilman Lika janë lojtarët që me siguri do të ndryshojnë ekip, pa llogaritur lojtarë të ndryshëm që kanë luajtur pak në sezonin e sapombyllur.