Kasano: I gjithi faji i Uandës, ja ç’më bëri Spaleti. Ikardi i dëmtuar? Aman me këto skema…

0

Antonio Kasano është një person që flet gjithmonë atë që mendon. Barezi nuk fshihet, nuk di të tregohet diplomat dhe as që ia ndjen për mendimet e të tjerëve. Gjithmonë ka qenë i tillë dhe nuk mund të jetë ndryshe kur komenton çështjen e Mauro Ikardit.

Sulmuesi argjentinas ka nisur një “luftë” me klubin. Drejtuesit dhe trajneri Spaleti vendosën t’i hiqnin shiritin e kapitenit, ndërsa Ikardi është kapur pas një dëmtimi të mëparshëm dhe nuk po pranon të zbresë në fushë.

Në prononcimin e dhënë për “TikiTaka”, Kasano ia vë gjithë fajin Uanda Narës, agjentes dhe gruas së lojtarit. Deklaratat e saj kundër të gjithëve kanë shkaktuar problemet, ndërsa sulmuesi po tregohet fëmijë me kapjen pas dëmtimit. Në fund merkato dhe një koment për Ivan Rakitiç. Kasano e vlerëson shumë kroatin dhe do nisej menjëherë për ta marrë për Milano, ndërsa i preferuari i tij mbetet Luka Modriç.

SHKAKU – “Uanda e krijoi gjithë këtë katastrofë dhe e futi Ikardin në telashe. Me deklaratat dhe postimet e saj në rrjetet sociale, ajo i krijoi Mauros një tokë të djegur përreth. Ajo flet shumë, flet për të gjithë dhe krijon probleme. I hoqën shiritin e kapitenit dhe do të ketë një shkak për këtë. Nuk janë të çmendur tek Interi.”

DËMTIMI? – “Gjëra të tilla i bëja kur isha 20 vjeç. Tani është një situatë pa kthim prapa. Dëmtimi në gju nuk ishte kaq i rëndë më parë dhe Mauro luante. Me heqjen e shiritit u rikthye dhe dhimbja në gju. Aman me këto skema… Unë isha zëvendëskapiten i Romës, por Spaleti erdhi dhe më tha: ‘Nuk do jesh më, pasi nuk je një shembull’. Kishte të drejtë. Më pas më shpjegoi gjërat që priste nga unë dhe bëri mirë. Nëse është sjellë kështu dhe me Mauron, ekziston një shkak. Nëse nuk kthehet të luajë, ai duhet të largohet në verë. Vazhdon të diskutohet një çështje e tillë vetëm prej Uandës.”

MERKATO – “Rakitiç është një lojtar i nivelit ndërkombëtar. Ai është një kampion dhe do nisesha tani për ta marrë, por e shoh të vështirë që Interi ta blejë atë. Megjithatë, mua më pëlqen më shumë Luka Modriç.”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.