Erando Karabeci është një ndër futbollistët më të rëndësishëm të Tiranës dhe rënia nga Superiorja ka bërë që skuadra bardheblu të konsiderohet si “market”.
Klubi bardheblu shpreson të shesë lojtarët e saj më të vlerësuar në treg, për të krijuar fonde për rindërtimin e skuadrës, por ndërkohë mund të humbasë një ndër veteranët e skuadrës.
Erando Karabeci është mjaft i kërkuar në treg dhe pas 8 vitesh bardheblu, po tundohet nga ofertat kundrejt tij.
“Sport Ekspres” mëson se ditët e fundit mesfushori ka biseduar me Shpëtim Duron në lidhje me një transferim te Flamurtari, por edhe me Armando Cungun, për një transferim të mundshëm te Vllaznia. Të dyja ofertat janë serioze edhe në aspektin ekonomik dhe Karabeci po mendohet mirë.
Deri në fund të aventurës evropiane Erando do të jetë pjesë e Tiranës, por më pas nuk e ka vendosur ende: lidhja e tij me Tiranën është shumë e fortë, por një sezon në Kategorinë e Parë ndoshta nuk është në planet e tij, aq më shumë që e kërkojnë klube me emër në Shqipëri.
Mesfushori ka shtyrë gjithçka për momentin, duke e lënë çështjen pezull deri në përfundimin e aventurës evropiane, ndërsa Duro dhe Cungu do ta presin, por jo pafundësisht, sepse brenda një muaji presin përgjigje.
Në sezonin e fundit Karabeci luajti 23 ndeshje kampionati me Tiranën, duke qenë edhe kapiten, por ashtu si për klubin e vet, sezoni ishte i mallkuar edhe për vetë Karabecin, i cili mungoi për shumë kohë për një aksident fatkeq që e mbajti shumë javë jashtë.