Kapllanaj: Bylisi im shkon larg me Nicën në stol

Presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj: Stavri Nica profesor që e njeh në “pëllëmbë të dorës” futbollin shqiptar. Ekipi ka ndryshuar shumë, ka meritë të madhe në fitoren ndaj Tiranës

Erjon Saliu

Bylisi realizoi një fitore bindëse në kryeqytet ndaj Tiranës me rezultatin 0-1, duke bindur me lojë, madje ballshiotët ishin më superior ndaj bardhebluve dhe në qoftë se do të ishin treguar më të saktë edhe mund të shënonin më tepër gola, sidomos me Ntefe e Zisin.  Tashmë, “djemtë” e trajnerit Stavri Nica janë 3 pikë larg Tiranës. Forca në grup e Bylisit dominoi, dhe Nica e theksoi këtë edhe pas ndeshjes me bardheblutë, që sipas tij tregoi karakterin e skuadrës dhe të lojtarëve që kanë ende shumë për të dhënë në vazhdimësinë e garës. Bylisi tashmë ka hyrë në “shinat” e duhura dhe kjo periudhë e ndërprerjes së kampionatit, sigurisht që do t’i vlejë shumë trajnerit Stavri Nica, por edhe lojtarëve për ta shfrytëzuar në përgatitjet që do të zhvillojnë.

KAPLLANAJ – Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, tashmë kur kanë kaluar shtatë javë analizon skuadrën dhe ecurinë e Bylisit. Sipas tij, skuadra aktuale që drejtohet nga Stavri Nica, nuk ka lidhje me atë të periudhës së Devollit si trajner. Kapllanaj, e thotë hapur se Bylisi ka ndryshuar shumë në lojë, por edhe në përgatitje fizike, madje ka rritje të dukshme. Në një prononcim dhënë enkas për “Sport Ekspres”, Besnik Kapllanaj ka theksuar se: “Jam shumë i kënaqur nga puna që po bën me skuadrën trajneri Stavri Nica. Në fakt, pas ndeshjes në Cërrik, ku ne barazuam bëmë ndryshime në stol dhe ish-trajnerin e larguam sepse kishim një grup me lojtarë shumë të mirë, por skuadra me lojë nuk po bindte, madje edhe fizikisht po linte për të dëshiruar. Imagjinoni, në Cërrik fitoi Tomori dhe Apolonia, ndërsa ne nuk fituam! Kjo ishte një arsye pse ne bëmë ndryshime në staf duke e ndërprerë marrëdhënien me ish-trajnerin Devolli, duke qenë se skuadra ishte larg pritshmërive. Jo më kot emëruam Stavri Nicën në krye të ekipit, pasi ka mjaft përvojë dhe për mua është një nga trajnerët, madje lektorët më të mirë që ka futbolli shqiptar. Këtë unë e them bazuar në punën dhe rezultatet, mbi të gjitha është edukator, mjaft i disiplinuar dhe që ka korrektesë, jo vetëm në ndeshje apo stërvitje apo dhe gjatë kohës së lirë. Çka tregon se Bylisi dhe Nica janë një binom suksesi. Nuk ishte rastësi fitorja me Tiranën. Krahas meritës së djemve që unë i përgëzoj, edhe trajneri Stavri Nica, ka një rol shumë të madh, pasi në një sfidë aq delikate, me një nga kundërshtarët më të fortë menaxhoi mjaft mirë ndeshjen dhe ne fituam duke rihyrë në garën për t’u rikthyer në Superiore. Trajneri Nica, është një “arkitekt” dhe unë kam besim se me Nicën, Bylisi jo vetëm që do të jetë shumë herë më lartë në çdo aspekt se periudha kur e drejtonte Devolli, por edhe do të hedhim baza të shëndosha, për projektin që ne të gjithë bashkë kemi nisur dhe po vazhdojmë. Trajneri Nica ka besimin tim të plotë, por ka fituar edhe respektin e tërë qytetit të Ballshit, sepse kanë qenë të shumtë ata që e kanë duartrokitur në ndeshjen me Tiranën, por edhe shumë dashamirës që nëpërmjet telefonit më kanë përgëzuar për zgjedhjen e bërë”, – ka përfunduar presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj deklaratën e tij.

One thought on “Kapllanaj: Bylisi im shkon larg me Nicën në stol

  1. Ti eshte mire te rregullosh biografine se po flitet qe ke pasur probleme me drejtesine andej nga italia. Pastaj hajde fol per futnollin. Tirona boni bllof me ju se luajti refiku se edhe ne 12 te nates po te ngrihet ju ballshiotet me ate ekip qe keni ju pallon 4 apo 5 me zero

Leave a Reply to Fiku Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *