Kapiteni Lika: Duhen përforcime, nuk iki nga Vllaznia!

Finalja e humbur me Bylisin tregoi që Vllaznia nuk është gati për Superioren. Sigurisht nuk mund të jetë një njësi matëse, por edhe trajneri Agim Canaj pas ndeshjes u shfaq i zhgënjyer dhe problemi kryesor ishte mungesa e dëshirës.

Kapiteni Gilman Lika, pas humbjes me ballshiotët, flet troç dhe pranon që kuqeblutë kanë probleme dhe duhen bërë ndryshime: “Edhe më parë e kam deklaruar se kjo Vllazni ka nevojë për ndryshim, për përforcime që t’i japin asaj hijeshinë e duhur për Superioren. Më mirë që ndodhi tani ndaj Bylisit, sepse më vonë do të kishte pasoja jo të mira. Mangësitë ishin në grup dhe grupi mendoj se duhet të përforcohet”.

Në lidhje me të ardhmen e tij dhe të skuadrës në Kategorinë Superiore, Lika deklaron për SportEkspres.com se ende nuk e dinë se si do të funksionojnë shumë gjëra për sezonin e ri. “Ne kemi mbështetjen e Bashkisë, por zgjedhjet lokale sikur e komprometojnë situatën. Për sezonin tjetër do jem pjesë e Vllaznisë, por nuk di asgjë se si do të funksionojë skuadra”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *