Kapiteni i Botevit: Të pafat në short, Partizani shumë i fortë!

0

Kapiteni i Botevit: Mund të kishim më shumë fat. Të kuqtë dhuruan edicion fantastik vitin e kaluar në Europë. Nga Shqipëria njohim Bushin dhe Haxhin

“Pres dy ndeshje shumë të forta, shorti mund të ishte treguar më i mirë me ne”, – kështu e nis intervistën e tij për “Sport Ekspres”, kapiteni i Botev Plovdiv, Laçezar Baltanov.  Mesfushori dhe lideri i ekipit bullgar vlerëson maksimalisht ekipin e Partizanit dhe beson se do të jenë dy ndeshje shumë të ashpra.

-A mendoni se shorti u tregua bujar me ju, apo ishit pa fat?
Mendoj se shorti mund të ishte i treguar më i mirë me ne. Partizani është ndër skuadrat më të mira të këtij raundi të Europa Leagues dhe pres dy ndeshje shumë të vështira me “demat”. Vitin e kaluar kundërshtari ynë provoi se janë një skuadër shumë e fortë me paraqitjen e tyre në Europë. Ne i respektojmë ata. Ndeshjet në Europë janë më spektakolare dhe besoj se tifozët do të jenë të lumtur me atë që do të tregojnë Botev dhe Partizani në fushën e lojës.

– A jeni gati për zhvillimin e ndeshjes?

– Po, ne jemi gati. Ne jemi pothuajse duke i dhënë fund përgatitjeve tona. Ndeshja është pas një jave dhe e gjithë vëmendja jonë është e fokusuar në ndeshjen që do të zhvillojmë në Tiranë.

-E njihni ekipin e Partizanit?

– Ne nuk i kemi mësuar lojën e tyre në detaje. Dimë disa gjëra dhe kemi mësuar se kanë mbrojtje shumë të fortë. Ata kanë humbur vetëm dy herë në 36 ndeshje në sezonin e fundit dhe kanë pësuar vetëm 17 gola. Dimë gjithashtu se kanë disa lojtarë kreativ në skuadër. Do të jetë e vështirë për ne, por ne do të bëjmë më të mirën dhe do të provojmë të kalojmë në raundin tjetër.

– Keni ndonjë informacion për futbollin shqiptar?

– Informacionet e mija më të mëdha janë për ekipin tuaj kombëtar. Ne kemi luajtur disa herë kundër dhe kemi pasur raste që kemi qenë edhe në të njëjtin grup në kualifikuese. Në Bullgari, ne njohim Alban Bushin dhe Altin Haxhin, pasi ata kanë luajtur me ekipet tona. Të dy kanë qenë shumë lojtarë të mirë dhe teknikë. Mendoj se futbolli në Shqipëri është rritur në vitet e fundit.

– A e keni planifikuar strategjinë që do të përdorni?

– Ne po punojmë për këtë gjë. Trajneri ka filluar të na përgatisë ne dhe na ka thanë strategjinë që do të përdorim, por mos prit të ta them ty. Ti je kundërshtar (Qesh). Do të jetë dhe do të mbesë vetëm brenda ekipit tonë.

– I druheni ndonjë lojtari, me aq sa e njihni ekipin e Partizanit?

– Nuk e di kush është më i miri i atyre, mendoj se çdo lojtarë është i rëndësishëm dhe ka ndikimin e tij në ekip. E dimë që Partizani ka një sulmues dhe një shënues mjaft të mirë si Ekubani, që është golashënuesi i ekipit, por me sa informacione kemi nuk është më pjesë e ekipit. Kemi piketuar edhe disa lojtarë që kanë fituar vëmendjen tonë.

– Do të kaloni në raundin tjetër?

– Ky është qëllimi ynë. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të kaluar. E dimë se do të jetë e vështirë për ne, por nëse kalojmë do t’u falim gëzim të madh tifozëve tanë. Ky është motivimi ynë më i madh.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.