Zhoao Kanselo u transferua gjatë verës nga Interi te Juventusi dhe mbrojtësi i djathtë po justifikon besimin e drejtuesve bardhezi. Portugezi është një nga lojtarët më të dalluar të ekipit të Juventusit në këtë fillim sezoni dhe po i bën të gjithë për vetë.
Kanselo ka folur për “Gli Amici di Simao” për ekipin e tij të ri dhe për patriotin Kristiano Ronaldo. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” po i mahnit të gjithë, madje dhe gardën e vjetër që e shohin me admirim 33-vjeçarin dhe shpresojnë që ai të jetë personi i duhur për të udhëhequr Juventusin drejt fitimit të Champions Ligës.
“Të gjithë lojtarët e Juventusit e shohin me admirim Kristiano Ronaldon. Edhe ata me përvojë si Kielini do të donin të ishin si ai. Kristiano është një lojtar i pabesueshëm dhe punon shumë. Benfika? Tani jam në një nga klubet më të mëdha në Europë. Sigurisht, 60 mijë tifozët e ‘Da Luz’ më mungojnë”, përfundon 24-vjeçari portugez.