Si zakonisht, skuadrat që vijnë nga Kategoria e Parë janë shumë larg standardeve për të garuar në Superiore, për shkak të varfërisë ekonomike dhe degradimit të aseteve sportive ndër vite.
Vjet Luftëtari punoi për muaj të tërë derisa përfundoi gjithçka në stadiumin e vet, ndërsa Korabi punoi shumë në janar e shkurt, por pavarësisht nga përpjekjet, nuk luajti dot asnjë ndeshje në Peshkopi, një ndër arsyet e rrënimit të kësaj skuadre.
Tani FSHF ka paralajmëruar Kamzën e Lushnjen që të nxitojnë, për të mos pasur fatin e skuadrave më sipër.
Pas inspektimeve në stadiumet përkatës, është vërejtur se ka probleme të mëdha, duke filluar nga fushat e pastaj me tribunat, rrethimin e stadiumeve dhe ambientet e brendshme.
Për t’i ndihmuar dy skuadrat e rikthyera në elitën e futbollit, Federata u ka propozuar që të marrë përsipër rikonstruktimin e plotë të fushave të dy stadiumeve, ndërsa klubet dhe Bashkitë përkatëse duhet të kujdesen për çështjen e rrethimit të impianteve, ambientet e brendshme dhe tribunat.
Afati maksimal kur klubet e Lushnjes dhe Kamzës duhet t’i plotësojnë kushtet e licencimit për të luajtur në Kategorinë Superiore është mesi i korrikut, ndërsa më pas, nëse nuk ia dalin, do të duhet të dorëzojnë në FSHF kontrata me stadiume të tjera ku do t’i zhvillojnë ndeshjet.