Kampionati jubile, Armand Duka vjen me një mesazh special!

0

Të premten topin nis të rrotullohet në Superiore. Klubet janë bërë gati për nisjen e kampionatit, ndërkohë që sikurse ndodh zakonisht, edhe presidenti Armand Duka ka diçka për të thënë. Mesazhi kryesor është: “Sezon të mbarë dhe një garë sa më fair!”

“Të dashur futbollistë, trajnerë e të gjithë ju që jeni pjesë e pandashme e garës. Nisim sot një rrugë të gjatë dhe me shumë emocione, atë të një tjetër kampionati mes dhjetë skuadrave të elitës në futbollin shqiptar, pjesë e Kategorisë Superiore. Ky sezon përkon edhe me një jubile, atë të kampionatit të 80-të të futbollit shqiptar.

Të dhjetë ekipet janë tashmë në garë për të gjitha verdiktet e sezonit. 36 javë sfida e përballje, të cilat natyrisht do të përcjellin emocionet e mëdha që sjell loja dhe ecuria e saj, javore dhe sezonale. Kam bindjen e palëkundur që, ashtu edhe si në çdo edicion, edhe këtë radhë sfida do të jetë shumë e fortë, shumë e bukur dhe me surprizat, apo risitë e saj.

Tashmë skuadrat kanë kryer edhe fazat përgatitore, teksa një pjesë e tyre vijnë edhe nga paraqitjet në kupat e Europës, për të qenë gati për start.

Më lejoni që të uroj të gjithë aktorët e garës: një sezon të mbarë e të suksesshëm për gjithsecilin. Një kampionat sa më FAIR, sa më të bukur, dyluftues dhe shumë emocional.

Federata ka qenë dhe do të jetë përherë sensibël dhe tejet e angazhuar karshi mbarëvajtjes së garës. Problematikat janë të pashmangshme në një sezon, apo gjatë një kampionati, sidoqoftë, energjitë e orientuara vetëm drejt fushës dhe lojës kanë prodhuar përherë rezultatin e tyre.

Shumë sukses për të gjitha klubet në garë, pa harruar kurrsesi edhe tifozerinë tonë të mrekullueshme, që cila gjithmonë është një element më shumë në jehonën e rivalitetit të garës mes skuadrave”, është mesazhi i Dukës para nisjes së kampionatit të 80-të kombëtar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.