Teuta nuk ia ka dalë të fitojë në dy ndeshjet e para të kampionatit dhe në fakt kalendarin nuk e ka pasur të lehtë, pasi është përballur më Flamurtarin dhe Tiranën. Gjithsesi duhen parë edhe anët pozitive: nuk ka humbur dhe nuk ka pësuar, sikurse edhe ka bërë ndeshje mjaft të mira. Me pak kujdes durrsakët mund të kishin dalë edhe me pikë të plota.
Në ndeshjen me bardheblutë në pushim të ndeshjes mbeti në dhomat e zhveshjes sulmuesi anësor Seku Kamara. Lojtari nga Guinea ndje një shqetësim, por nuk ka asgjë serioze për të. Ditën e sotme ai është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës dhe është gati për ndeshjen e radhës me Kamzën.
Lajme të mira edhe për Sherif Kallakun, mesfushorin që Teuta e mori këtë verë nga Laçi. Së fundmi ai është bashkuar me grupin dhe ndeshjen e radhës mund të grumbullohet dhe të ketë ndonjë minutë. Sigurisht kjo varet nga stafi teknik, por mesfushori gradualisht po e merr veten dhe Shkëmbi mund ta llogaritë në vazhdim.