“Kam humbur më shumë penallti se goditje dënimi”, sekretet e Mihajloviç

Sinisha Mihajloviç ishte një mbrojtës i fortë dhe një lider i ekipit. Mjeshtëria e tij ishin goditjet e dënimit, të cilat i kishte si penalltitë. Kur ishte pjesë e Lacios, i shënoi një tripletë Sampdorias dhe të tre golat u realizuan nga goditjet e dënimit.

49-vjeçari ishte pjesë e Zvezdës kur kaloi në Itali te Roma, më pas Sampdoria, pastaj vitet e arta me Lacion dhe në fund Interi. Trajneri është i papunë për momentin, ndërsa tregon dëshirën e tij për “Rai 3”.

Te Sampdoria dhe Roma punoi me Vujadin Boskov, trajnerin e famshëm që fitoi titullin me Sampdorian dhe dërgoi ekipin xhenovez në finalen e Ligës së Kampioneve (e humbur përballë Barcelonës në 1991).

Respektin për të nuk do e humbasë kurrë, ndërsa pasi tregon sekretin e goditjeve të dënimit, Mihajloviç zbulon një sekret sa i përket debutimit të një djaloshi të ri në ndeshjen kundër Breshias. Ishte 28 marsi i vitit 1993 dhe Boskov fuste në fushë për Romën një 16-vjeçar të talentuar. Ai quhej… Françesko Toti.

DËSHIRA – “Kam refuzuar oferta të ndryshme nga Italia, sepse dëshiroj të shkoj jashtë. Ndodhem në Itali që nga viti 1992 dhe dua të provojë një eksperiencë jashtë vendit.”

SPECIALITETI – “I gjuaja goditjet e dënimit në të gjitha mënyrat. Merrja hap gjithmonë njësoj, në mënyrë që portieri të mos e kuptonte kurrë se çfarë gjuajtje do të bëja. E shikoja në sy deri në fund, gjë që nuk e bëja kur gjuaja penalltitë. Lojtarëve të mi u them me shaka se në karrierë kam humbur më shumë penallti sesa goditje dënimi. Nisa të luaja futboll vetëm për shkak të goditjeve të dënimit, përndryshe do të merresha me basketboll.”

BOSKOV-TOTI – “Vujadin ishte shumë inteligjent. Ti mendoje se do të bënte atë që i thoje, ndërsa ai bënte atë që donte vetë. E morëm Françeskon me vete dhe menduam se, nëse do të bënte mirë, do ta aktivizonim. Po fitonim 2-0 dhe, 15 minuta përpara fundit të ndeshjes, u ofrova afër pankinës dhe i kërkova trajnerit ta fuste në lojë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *