Vetëm disa ditë më parë ekipi i Milanit zyrtarizoi blerjen e Lukas Paketës, nga skuadra e Flamengos për shumën e 35 milionë eurove. Braziliani pritet që të bashkohet me skuadrën kuqezi në merkaton e janarit. Lidhur me këtë transferim ka pasur diskutime të shumta në lidhje me kualitetin e lojtarit, teksa ka pasur shumë fjalë të mira nga emra të mëdhenj të futbollit.
Këtij diskutimi nuk mund t’i shpëtonte as braziliani që ka bërë më shumë histori te Milan. Bëhet fjalë pikërisht për Rikardo Kakan, i cili ka folur në lidhje me këtë blerje të ish-ekipit të tij si dhe për mundësinë e rikthimit te Milan në një rol drejtuesi.
“Paketa ka një të ardhme të ndritur përpara dhe nuk duhet të bëjmë krahasime. Kam dëgjuar jashtëzakonisht shumë krahasime kohët e fundit për të dhe kjo është diçka që nuk i bën mirë, pasi e vë shumë në presion. Paketa duhet të jetë i qetë dhe të japë më të mirën në fushë. Unë kam shumë besim tek ai.”
“Kam folur me Leonardon dhe Maldinin. Tani jam më pranë Milanit, por thjesht kaq. Gjithmonë do mundohem të jem pranë klubit që më bëri të fitoj gjithçka, por prioriteti im është që të jem pranë familjes, pasi Luka dhe Izabela janë akoma në një moshë të vogël. Kam folur shumë me Leonardon dhe gjithashtu po bëj një kurs në Brazil për drejtues sportiv. Shpresoj shumë që në një të ardhme të jem drejtues sportiv te Milan, por për momentin nuk ka diçka korrekte”, ka përfunduar braziliani Kaka.