Elvis Kabashi është një emër shumë i njohur në Shqipëri, kjo edhe për faktin se disa vite më parë, lojtari refuzoi të luante për kombëtaren tonë, për të luajtur për Italinë. Mundësia për të luajtur me Italinë nuk i erdhi kurrë, me Kabashin që pati një ulje drastike në karrierën e tij.
Së fundmi, mesfushori është rikthyer në formë dhe luan për Dinamon e Bukureshtit, ekip ku militon edhe mbrojtësi i kombëatres sonë, Naser Aliji. Pikërisht në një intervistë për “Digi Sport”, Kabashi është pyetur për miqësinë me Alijin e kombëtaren shqiptare dhe përgjigja e tij ka habitur jo pak.
“Me Alijin kuptohemi shumë mirë dhe e kam mik edhe jashtë fushe. Është mirë të jesh në një ekip me një shqiptar tjetër. Ka patur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me Kombëtaren shqiptare. Është folur për një letër që unë kam shkruar, por nuk është e vërtetë, sepse letrën e pati shkruar ish-menaxheri im, me të cilin kam disa gjyqe të hapura.
Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares sepse, nëse unë nuk do të doja të luaja me Shqipërinë nuk do të luaja as me 19-vjeçarët në eliminatoret e Europianit. Prindërit e mi janë shqiptarë. Unë kam lindur në Itali, por gjaku im është shqiptar, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithë këtë rrëmujë e ka shkaktuar ish-menaxheri, i cili nuk donte që të luaja me Kombëtaren, por të përqendrohesha vetëm tek Juventusi.
Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën, ndërsa unë nuk kam folur më parë për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë. Ndoshta, vite më parë duhet të isha kundërpërgjigjur, por m’u duk sikur do t’i hidhja benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është Kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është një krenari të mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të përpiqem të stërvitem e të punoj sa më shumë për të pasur një mundësi në Kombëtare.”