Juventusi ka marrë një tjetër fitore, në një sfidë ku u tregua ekip mjaft cinik. Lacio ishte dominues në shumicën e takimit, madje dhe doli në avantazh, por bardhezinjtë përmbysën gjithçka, duke u shkëputur tashmë në 11 pikë nga Napoli i vendit të dytë.
Pjesa e parë ishte mjaft e luftuar, por asnjë nga ekipet nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Ajo çfarë ra në sy ishte forma e treguar nga Lacio, e cila e dominoi thuajse të gjithë fraksionin. Imobile dhe Parolo patën raste të arta për të shënuar, por nuk arritën të tregoheshin të saktë.
Fraksioni i dytë nisi përsëri me të njëjtën muzikë. Lacio më kërkuese dhe Juventus, që si rrallëherë po nënshtrohej ndaj lojës së lacialëve. Në minutën e 59-të përpjekjet e ekipit të Inzagit u shpërblyen, teksa në zhvillimet e një goditje nga këndi, Emre Xhan shënoi në mënyrë të pafat një autogol.
Gjithsesi, ekipi i Alegrit arriti të reagonte, teksa në minutën e 74-t Zhoao Kanselo shënoi golin që vuri baraspeshën.
Goli i shënuar i dha akoma më shumë besim “Zonjës së vjetër” dhe vetëm dy minuta përpara fundit kampionët e Italisë përmbysën gjithçka me anë të Kristiano Ronaldos. Portugezi, shënoi nga pika e bardhë, pasi Senad Luliç shkaktoi një faull në zonë.
Serie A | Java e 21-të
Lacio-Juventus 1-2
Shënues: Emre Xhan 59′ (aut.) / Kanselo 74’, Ronaldo 88’ (pen.)