Është fakt i zbardhur prej kohësh që Juventus pëlqen Donarumën. Gjithsesi, “Zonja” ka qenë tërhequr nga interesi i saj për djaloshin kuqezi, duke parë rrogën e lartë që ka në Milano dhe praninë e portierëve si Shezni dhe Perin në “Allianz Stadium”.
Mediet italiane raportojnë se Paratiçi dhe Nedved do hyjnë përsëri në garë për të sjellë Donarumën në Torino. “Sport Mediaset” shprehet se Juventus ka gati strategjinë për të materializuar këtë operacion. Milani ka nevojë për të ardhura dhe e ka nxjerrë në shitje gardianin. Shezni mund të niset drejt Parisit për të qenë portieri kryesor i PSG. Perin do të zëvendësojë Donarumën në Milano, plus një shumë parash.
Largimi i dy portierëve të Juves i hap rrugë ardhjes së Donarumës dhe Bufon në Torino. Një strategji mjaft e ndërlikuar. Për portierin e kombëtares italiane interesohet PSG, të cilët kanë gati ofertën. Areola plus 20 milion janë gati për të bindur Milanin. Vështirësia tjetër e këtij operacioni qëndron tek dëshira e Perin dhe Shezni për të lëvizur drejt destinacioneve që mendon Paratiçi.
Në lidhje me Donarumën, do të ishte një kënaqësi zbarkimi në Torino, duke qenë se do mësonte prej Xhixhi Bufon. Në pamje të parë duket një operacion tepër i ndërlikuar, por kjo merkato ka treguar se asgjë nuk është e paarritshme, sidomos nëse flasim për Juventusin.