Investimet dhe puna e shkëlqyer ka kohë që kanë filluar të japin fryte të jashtëzakonshme te Juventusi, që këtë sezon ka ndërtuar një skuadër edhe më të fortë se vjet, edhe pse shiti verën e shkuar yllin Pol Pogba.
Tani bardhezinjtë bëjnë llogaritë dhe ndeshja kundër Realit ka vlerë të jashtëzakonshme vetëm për trofeun, sepse në aspektin financiar nuk ndryshon asgjë në arkat e Juves.
Fitimet totale që do të përfitojë “Zonja e Vjetër” nëse do të arrijë të ngrejë trofeun e Champions shkojnë në 133.2 milionë euro, ndërsa në rast disfate shpërblimi për ta do të jetë 128.7 milionë euro, pra e njëjta gjë pothuajse.
Duke pasur parasysh që Juve ka vendosur 500.000 euro premio për çdo futbollist në rast triumfi, është e qartë që disfata e pasuron më shumë sesa fitorja.
UEFA momentalisht për këtë kompeticion shpërndan rreth 1.3 miliardë Euro, por sezoni 2018-2019 do të ketë një rritje të çmendur të të ardhurave që do t’u shpërndahen klubeve, me 2.4 miliardë euro që do të shkojnë në xhepat e klubeve dhe praktikisht do të thotë që me ecurinë e këtij sezoni Juve pas dy vitesh mund të përfitojë edhe rreth 100 milionë euro shtesë.