Merkato e kësaj vere pritet të jetë shumë e zënë për Mançester Junajtid. Trajneri i “Djajve të Kuq”, Ole Gunar Solskjaer premtoi pak ditë më parë se ai dhe drejtuesit e klubit po punonin për të sjellë emra të mëdhenj. Megjithatë, krahas blerjeve “big”, Junajtid ka menduar të investojë dhe për talente me një kosto relativisht mesatare. Një i tillë është mbrojtësi i Real Betis, Zhunior Firpo.
Futbollisti 22-vjeçar luan si mbrojtësi i majtë dhe veçohet për aftësitë e tij në fazën sulmuese. Gjatë sezonit që sapo lamë pas, Firpo regjistroi 3 gola dhe 4 asiste. Lojtari me origjinë nga Republika Dominikane pritet të sjellë konkurrencë në krahun e majtë të mbrojtjes, pozicion ku Luk Shou është për momentin një titullar i padiskutueshëm. Kosto e këtij operacioni pritet të shkojë dike te 25 milionë euro.