Mançester Junajtid dhe Mançester Siti njihen për rivalitetin e tyre të ashpër, sidomos në 10 vitet e fundit me ngritjen e “Citizens”. Ky rivalitet, shpesh i ka kaluar dhe kufijtë e fushës, teksa shpesh dy ekipet kanë përplasur “brirët” dhe në merkato. Një rast i tillë, po ndodh së fundmi, teksa dy klubet e Mançesterit, janë vënë pas mbrojtësit Nikola Milenkoviç.
Talenti i Fiorentinës, kërkohet me ngulm, sidomos nga Junajtid, të cilët e kërkonin që në kohën kur në krye ishte Zhose Murinjo. Gjithsesi, siç raportohet nga mediat italiane, në garë fuqishëm është futur dhe Siti, ku Guardiola e sheh si lojtarin e duhur, pasi serbi luan dhe në krahët e mbrojtjes përveçse në qendër.
Fiorentina kërkon të paktën 50 milionë euro për mbrojtësin, të cilin e transferoi nga Partizani i Beogradit për vetëm 5 milionë euro. Pritet me interes se si do të shkojë gara për 21-vjeçarin, teksa ekipi nga “Old Traford” e sheh si më emergjente përforcimin e prapavijës dhe mund të bëjë një sulm për Milenkoviç ditët në vijim.