Milani po kalon një periudhë shumë të keqe, ndërsa ka grumbulluar vetëm dy pikë në tre ndeshjet e fundit në kampionat. Lacio e vendit të katërt nuk është larg, pasi ka vetëm një pikë më shumë se kuqezinjtë, por mungesa e rezultateve ka lëkundur pozitat e Xhenaro Gatuzos.
Trajneri i “Djallit” ka për detyrë të fitojë dy ndeshjet e fundit për këtë vit: kundër Frozinones dhe Spalit, ndërsa drejtuesit kanë zgjedhur heshtjen, sigurisht diçka jo pozitive për trajnerin.
Arsen Venger është një nga kandidatët për zëvendësimin e Gatuzos. Francezi nuk është emri i vetëm që përflitet për stolin e Milanit, pasi në garë janë dhe Antonio Konte, Paulo Souza dhe Roberto Donadoni. Por, “Corriere dello Sport” flet dhe për një kandidaturë të re.
Flasim për Françesko Guidolin, i cili është një preferencë e presidentit Skaroni. Të dy kanë punuar bashkë te Viçenca, aty ku fituan kupën e Italisë në vitin 1997, ndërsa një vit më pas arritën deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kupave. Guidolin është një trajner ekspert, por nuk trajnon prej 3 tetorit të vitit 2016 kur u shkarkua nga drejtimi i Suonsit.