Objektivi i madh i Juventusit për këtë sezon është fitimi i Champions Ligës. Bardhezinjtë nga Torino do të presin Atletikon e Madridit në shtëpi me datë 12 mars. Ndeshja e parë u fitua nga djemtë e Simeones me rezultatin 2-0 dhe Juventusit do i duhet shumë punë, fat dhe gola për t’u kualifikuar.
Maks Alegri mund të largohet në fund të sezonit për të marrë drejtimin e Realit të Madridit. Drejtuesit e Juves janë të ndarë midis tre opsioneve për zëvendësuesin e trajnerit livornez: Zinedin Zidan, Pep Guardiola dhe Antonio Konte.
Rikthimi i këtij të fundit nuk përjashtohet, madje “Tuttosport” raporton se në klubin italian kanë një ide interesante dhe tepër intriguese. Drejtuesit janë gati t’i ofrojnë pankinën Kontes, i cili mund të ketë si ndihmës të tij Andrea Pirlon.
Ish-mesfushori fenomenal është gati të nisë karrierën e trajnerit dhe do ishte entuziast të punonte me Konten në një klub ku zhvilloi sezonet e fundit të mëdha në karrierën e tij.