Mund të kujtojmë një precedent para 4 vitesh. Kukësi dhe Skënderbeu, paralelisht kaluan një verë fantastike në Kupat e Europës. Korçarët dhe kuksianët arritën që të shkonin deri në “play-off” të Europa League-s, duke bërë që e gjithë vera t’u shkonte në aktivitet. FSHF kishte planifikuar që kampionati të niste në javën e fundit të gushtit, por suksesi i dy klubeve shqiptare bëri që kampionati të shtyhej për një javë, për t’i krijuar komoditetin Kukësit dhe Skënderbeut që të mos mendonin për kampionatin.
Fatkeqësisht u eliminuan të dyja, verilindorët nga gjigantët e Trabzonsporit, ndërsa korçarët nga ukrainasit e Odesës me penallti. Arsyeja në ato ditë dukej e drejtë, pasi për të parën herë mund të kishim një skuadër në grupet e Europa League-s, por sot duket e çuditshme pse kampionati duhet të nisë në shtator.
Ndryshe nga ne, në Moldavi kampionati fillon sot, ndërsa kundërshtari i Kukësit do të zbresë në fushë nesër për të sfiduar Zorian, vetëm 3 ditë para një takimi shumë të rëndësishëm me Kukësin. Kjo është një mundësi e mirë për trajnerin Gjoka dhe stafin e Kukësit që të studiojë kundërshtarin, edhe pse me shumë gjasa moldavët do të ruhen në këtë takim, pasi e dinë mirë që do të jenë nën vëzhgimin e kuksianëve.