Ivan Galiç për herë të parë ka luajtur në Superiore me Flamurtarin. Kroati iku i zhgënjyer dhe sezoni i fundit me Cibala në vendin e tij ishte i mirë në aspektin personal. Sulmuesi anësor u kontaktua edhe në janar nga Laçi, por ishte nën kontratë dhe nuk lëvizte sot.
Ofertat nuk i munguan, madje edhe në Izrael e kërkuan. Shënoi shtatë gola në elitën e futbollit kroat dhe tanimë do të kërkojë të tregojë se sa vlen. Në aventurën e parë në Shqipëri nuk është se dha atë që prisnin të gjithë.
Në kampionat mund të debutojë kundër Partizanin dhe te Laçi sytë i kanë pikërisht nga ai. Myrto Uzuni u shit te Lokomotiva e Zagrebit dhe Galiç duhet të bëjë diferencën. Gjithashtu pritshmëri ka edhe për të riun Elvi Berisha, si dhe për sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe Marijan Altiparmakovski.
Sa i takon përgatitjeve, këtë periudhë Laçi ka zhvilluar nga dy seanca në ditë. Duke qenë se nuk kishte ndeshje kampionati, trajneri Mërgjyshi ka ngarkuar fizikisht skuadrën e tij, kjo edhe për të sjellë disi në formë ata që iu bashkuan vonë ekipit.