Adrien Rabiot kërkon të largohet nga PSG dhe kjo javë është vendimtare për të ardhmen e mesfushorit francez. Barcelona e pret atë dhe në fakt tashmë gjithçka ia ka lënë në dorë lojtarit, që duhet të vërë francezët para një fakti të kryer: “Dua të iki”.
Dëshira e mesfushorit është t’i bashkohet katalanasve dhe tanimë është parashikuar një takim i përfaqësuesit të lojtarit me presidentin e PSG-së, sheikun Naser Al-Khelaifi. Mesfushorii i ka mbetur edhe një vit kontratë me kampionët e Francës.
Barcelona nga krahu tjetër kërkon të dijë sa më shpejt se çfarë do të bëhet, pasi i duhet të mendojë për ndonjë lojtar tjetër nëse Rabiot nuk bind dot francezët për t’u larguar. Por PSG nuk kërkon ta humbasë mesfushorin 23-vjeçar.
Dëshira e tyre është të rinovojnë kontratën me të dhe pritet që të bëjnë një kontratë milionere dhe ta bindin mesfushorin, sikurse kanë bërë më parë edhe me Marko Verratin, të cilin gjithashtu Barcelona e kërkoi me ngulm.
Akoma nuk dihet se çfarë do të ndodhë, por Rabiot kërkon një klub të ri, aventurë të re dhe më shumë besim. Nuk është çështje parash. Barcelona në krahun tjetër po vepron me kujdes, trajneri Valverde e kërkon në ekip një mesfushor që të shtyjë përpara ekipin, ndërkohë që nesër pritet të mësohet më shumë rreth kësaj piste merkatoje. Gjithsesi katalanasit po punojnë edhe për alternativa të tjera, duke marrë parasysh edhe dështimin në blerjen e Rabiot.